Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një takim pune me zyrtarët e gjendjes civile të komunave të rajonit të Mitrovicës dhe me zyrtarët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë.
Sveçla ka theksuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal për zbatimin efikas të Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj.
Ai ka theksuar rolin thelbësor të zyrtarëve për mbarëvajtjen e procesit duke informuar qytetarët në kohë dhe duke bashkëpunuar me ta si elemente kyçe për arritjen e rezultateve të synuara.
Ministria e Punëve të Brendshme punon me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi të zhvillohet në përputhje me dinamikën e paraparë dhe me standardet ligjore në fuqi.
MPB është në koordinim të ngushtë me komunat, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil për garantimin e zbatimit të obligimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.
Për lehtësimin e zbatimit të procesit, MPB ka themeluar ekipe të veçanta mbështetëse për ofrimin e asistencës dhe sqarimeve për çdo paqartësi që mund të paraqitet gjatë trajtimit të kërkesave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit në procedurat administrative.
