Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka bërë të ditur se është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në margjinat e një takimi ministror në Washington.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha tha se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet aktuale dhe perspektivat e së ardhmes, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e qartë të Shqipërisë ndaj deklaratave që së fundmi janë bërë nga një anëtar i Qeverisë së Serbisë. ‘Ritheksova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtar i Qeverisë së Serbisë, duke nënvizuar nevojën për të refuzuar pa mëdyshje retorikën që nxit tensione, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave evropiane,’ shkroi Hoxha.
Ai theksoi se diplomacia nënkupton dialog të hapur dhe trajtim me përgjegjësi të dallimeve mes vendeve. ‘Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhim në dialog të hapur, të shikosh njëri-tjetrin në sy, të përballesh me realitetin dhe të adresosh dallimet me përgjegjësi,’ përfundoi Hoxha.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





