Ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Prioriteti është hapja e Konsullatës shqiptare në Preshevë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se interesi kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës.

Sipas Hoxhës, Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.

Ai sqaroi se çdo hap do të ndërmerret vetëm pasi të ketë dakordësi mes palëve për të gjitha aspektet e procesit.


- Advertisement -

Ministri theksoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk duhet parë si një barazim mekanik i interesave apo objektivave të dy shteteve. ‘Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar.

Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime,’ u shpreh Hoxha.

Ai kritikoi reagimet që, sipas tij, janë fokusuar te mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër, duke lënë në plan të dytë përfitimin që sjell për shqiptarët e Luginës së Preshevës krijimi i një përfaqësie diplomatike shqiptare.

Në deklaratën e tij, Hoxha nënvizoi se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane, e jo në emocione apo perceptime. ‘Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian.

Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme,’ përfundoi ministri.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -