Lëvizjet e Popullsisë në Shqipëri: Grate në Fokus të Lëvizjeve të Brendshme

Lëvizjet e brendshme të popullsisë në Shqipëri po dominohen gjithnjë e më shumë nga gratë, sidomos nga vajzat dhe gratë e reja në moshë studimi dhe pune.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT në raportin “Gra dhe Burra 2025” tregojnë se gjatë vitit 2024 ndryshuan vendbanimin brenda vendit 16 289 gra, kundrejt vetëm 9 303 burrave.

Pesha më e madhe e këtyre lëvizjeve përqendrohet te grupmoshat 20-29 vjeç.


- Advertisement -

Vetëm në grupmoshën 20-24 vjeç, lëvizën 3 080 gra, ndërsa në grupmoshën 25-29 vjeç numri arriti në 3.754.

Të dhënat tregojnë se gratë e reja po bëhen gjithnjë e më aktive në lëvizjen brenda vendit, një fenomen që lidhet me zhvendosjen drejt qyteteve të mëdha për studime universitare, punësim apo akses më të mirë në shërbime.

Tirana mbetet poli kryesor tërheqës, sidomos për sektorët e administratës, shërbimeve, call center-ave, teknologjisë, arsimit dhe shëndetësisë, ku punësimi i grave është më i përqendruar.

Raporti i INSTAT evidenton gjithashtu se lëvizjet e brendshme ranë në total gjatë vitit 2024 krahasuar me një vit më parë, por diferenca gjinore mbetet e fortë.

Ekspertët e demografisë e lidhin këtë trend me urbanizimin, shtyrjen e martesës, rritjen e pjesëmarrjes së grave në arsim të lartë dhe kërkimin për pavarësi ekonomike.

Rrjedhimisht, duket se ekonomia shqiptare po përqendrohet gjithnjë e më shumë në pak qendra urbane dhe në sektorë ku gratë kanë më shumë mundësi punësimi apo arsimimi.

Në të njëjtën kohë, shumë zona rurale dhe qytete të vogla po humbasin kryesisht popullsinë e re femërore, çka ndikon më pas edhe në lindshmëri dhe strukturën familjare lokale.


- Advertisement -