Kuvendi i Shqipërisë mblidhet për të diskutuar heqjen e imunitetit të Belinda Balluku

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare në orën 10:00, ku pritet të votohet për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.

Në këtë seancë do të shqyrtohen dy raportet e paraqitura nga mazhoranca dhe opozita, të cilat kanë qëndrime të kundërta për këtë çështje.

Partia Socialiste argumenton se Balluku, tashmë e shkarkuar nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pa funksion ekzekutiv, nuk përbën rrezik për prishje provash apo arratisje.


- Advertisement -

Sipas socialistëve, hetimi ndaj saj për pabarazi në tenderë mund të vijojë pa nevojën e masës së sigurisë.

Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, shumicës i mjaftojnë 71 vota.

Partia Demokratike këmbëngul se heqja e imunitetit është e domosdoshme, duke argumentuar se deputetja mund të ndikojë te dëshmitarët apo të prishë provat.

Paralelisht me seancën plenare, opozita ka paralajmëruar një protestë para Kuvendit.

Para seancës, në orën 09:00, socialistët do të zhvillojnë edhe një mbledhje të grupit parlamentar për të diskutuar qëndrimin përfundimtar mbi çështjen e Ballukut.

Në rendin e ditës së seancës plenare përfshihen gjithashtu disa projektligje dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *