Kurti: Nga janari paga minimale rritet në 425 euro bruto, nga korriku në 500 euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se paga minimale në Kosovë do të rritet sërish duke hyrë në fuqi në dy faza.

Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se nga muaji janar paga minimale do të kalojë nga 350 në 425 euro bruto, ndërsa nga 1 korriku do të nisë faza e dytë e rritjes, ku paga minimale do të shkojë në 500 euro bruto.

Kurti theksoi se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe dinjitetit të punëtorëve.


- Advertisement -

Ai kujtoi se kur qeveria aktuale mori detyrën, paga minimale ishte 130/170 euro dhe nuk ishte ndryshuar për më shumë se një dekadë, ndërsa tash brenda një mandati po rritet për herë të tretë.

Sipas Kurtit, ky vendim synon të lehtësojë barrën ekonomike të qytetarëve dhe të përmirësojë standardin e jetesës në vend.

- Advertisement -