Gjatë festës së organizuar me qytetarët pas procesit zgjedhor, Albin Kurti mbajti një fjalim ku foli për situatën institucionale në vend dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
Ai deklaroi se institucionet ekzekutive vazhdojnë punën e tyre të rregullt dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për funksionimin e shtetit.
“Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë në detyrën e kryeministrit. Kosova e ka edhe presidenten, ndërsa e ka edhe ushtruesen e detyrës së presidencës, Albulena Haxhiun”, tha Kurti para të pranishmëve.
Sipas tij, pavarësisht atmosferës festive, puna në institucionet qeveritare do të vazhdojë pa ndërprerje.
“Pavarësisht sa festojmë sonte, nesër në orën 08:00 e gjithë qeveria është në punë. Secili ministër, secili zëvendësministër dhe të gjitha ekipet tona do të jenë në detyrë”, u shpreh ai.
Kurti tha se edhe zyra e presidencës do të vazhdojë aktivitetin e saj të zakonshëm, duke theksuar angazhimin e institucioneve për t’u shërbyer qytetarëve.
Në pjesën qendrore të fjalimit, ai vlerësoi se problemi aktual nuk qëndron te funksionimi i qeverisë apo presidencës, por te mungesa e konstituimit të Kuvendit.
“Republikës së Kosovës nuk i mungon as qeveria dhe as presidenca. Asaj i mungon Kuvendi. Fatkeqësisht, blloku opozitar nuk po shkon në punë”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se institucionet që udhëhiqen nga shumica qeverisëse do të vazhdojnë punën e tyre dhe se janë të interesuara që edhe opozita të kontribuojë në zhbllokimin e situatës politike.
“Ne të tjerët shkojmë në punë në orën 08:00 të mëngjesit dhe jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë sa më shpejt në punë”, tha ai.
Fjalimi u prit me duartrokitje nga mbështetësit e mbledhur në shesh, të cilët po festonin rezultatin e zgjedhjeve dhe zhvillimet e fundit politike në vend.





