Kundërshtimi i Shqipërisë ndaj Deklaratave Provokuese të Presidentit Serb për Kosovën

Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe të ministres së tij, Snezhana Paunoviq, për spastrimin etnik të Kosovës, u dënuan ashpër nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Në një konferencë nga Tirana me homologun e Kroacisë, shefi i diplomacisë shqiptare u ndal te kjo çështje. “Theksuam rëndësinë e veçantë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë, justifikojnë ose u japin jehonë krimeve të luftës dhe politikave të dënuara si nga drejtësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ndërgjegjja njerëzore”, tha Hoxha.


- Advertisement -

Ministri Ferit Hoxha iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të Vuçiqit për marrëveshjen ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. “Çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale.

Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, tha Hoxha.

Marrëveshja trepalëshe e sulmuar shumë nga Serbia u komentua dhe nga ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq-Radman, i cili foli për thellim të bashkëpunimit rajonal, por edhe mes dy vendeve mike.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *