Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka asnjë aleancë, as me Serbinë dhe me askënd, por vetëm interesa.
Këtë përgjigje dha për A2 CNN, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, kur u pyet se a po përdor qeveria shqiptare çdo mekanizëm për integrimin duke mërzitur Kosovën, pasi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq dhe Rama bashkuan penën në Berlin. “Kryeministri nuk ka asnjë aleancë, as me Serbinë, as me askënd.
Ne kemi interesa dhe interesat mbrohen duke dialoguar dhe me ata që jemi diametralisht të kundërt, siç është qëndrimi ynë për Kosovën, krahasuar me atë që ka Serbia.
Në diplomaci ne negiociojmë, ulemi.
Kur diplomacia vdes kanë hyrë mjete të tjera.
Dhe fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal ku të gjitha palët shohin atë që u intereson, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Natyrisht do të flasim me serbët.
Nëse biem dakord aq më mirë, nëse jo do të takohemi sërish për të tentuar.
Ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë e bashkëpunues për të mbrojtur interesat tona”, tha ministri Hoxha.
Në vijim të përgjigjes së tij, kryediplomati shqiptar theksoi se marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione, por kjo sipas tij mund të çojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sipas tij, njohja reciproke e dy vendeve do të heqë pengesën e fundit në mënyrë që rajoni si një i tërë të avancojë në BE.
