Kosova përballon periudhë të pasigurisë politike dhe bllokade institucionale, thotë Wolfgang Petritsch

Ish-diplomati i lartë austriak dhe ndërmjetësi ndërkombëtar në proceset e Ballkanit, Wolfgang Petritsch, ka vlerësuar se Kosova po kalon një periudhë të zgjatur pasigurie politike dhe bllokade institucionale, e cila po ndikon si në proceset e brendshme reformuese ashtu edhe në pozicionin ndërkombëtar të vendit.

Në një intervistë për Radio Kosova, Petritsch ka theksuar se problemi kryesor në Kosovë mbetet mungesa e kompromisit politik dhe polarizimi i skenës politike, duke paralajmëruar pasoja për funksionimin demokratik dhe integrimet evropiane.

Duke folur për krizën politike, Petritsch ka kritikuar përdorimin e demokracisë në mënyrë të gabuar. “Më duket se ideja e demokracisë po keqpërdoret, në kuptimin që zgjedhjet po përsëriten vazhdimisht për arsye partiake,” tha ai, duke shtuar se mungesa e kompromisit politik është sfida më e madhe për vendin.


- Advertisement -

Sipas tij, “vetë ideja e demokracisë është aftësia për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm edhe në rrethana të vështira.” Duke komentuar polarizimin politik, ai vlerësoi se mungesa e qeverisjes funksionale po ndikon drejtpërdrejt në stagnimin e reformave. “Nëse nuk keni një qeveri të zgjedhur, atëherë reformat nuk po ndodhin,” u shpreh Petritsch, duke shtuar se kjo situatë po reflektohet edhe në arenën ndërkombëtare, ku Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si “problem në rritje”.

Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, ai theksoi se procesi ka sjellë rezultate, por mbetet i papërmbyllur dhe i bllokuar nga mungesa e vullnetit politik. “Në fund, gjithçka do të varet nga Prishtina që të bëjë gjënë e duhur,” tha ai, duke shtuar se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare.

Sipas tij, “Prishtina duhet të bëjë më shumë për të përmbushur obligimet e saj,” ndërsa theksoi nevojën për zbatim më të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë atë të Ohrit.

Petritsch ngriti shqetësimin se problemi nuk qëndron vetëm në dialogun me Serbinë, por edhe në mungesën e komunikimit politik brenda Kosovës. “Duket se nuk po arrihet një zgjidhje konstruktive për problemet që po rriten në Kosovë,” u shpreh ai, duke shtuar se mungon dialogu mes partive politike.

Sa i përket partnerëve ndërkombëtarë, ai vlerësoi se Kosova duhet të forcojë besueshmërinë përmes zbatimit të marrëveshjeve dhe reformave të brendshme.

Ai theksoi se në çështjen e të drejtave të komunitetit serb duhet një qasje pragmatike: “Duhet të gjeni një zgjidhje që zbaton frymën e marrëveshjes, jo vetëm emrin e saj.” Në fund të intervistës, Petritsch foli edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si procesin më të rëndësishëm për rajonin. “BE po zgjerohet drejt Ballkanit Perëndimor, por kërkon reforma dhe zgjidhje të problemeve të brendshme,” theksoi ai, duke përmendur se vendet që nuk arrijnë stabilitet institucional do ta kenë më të vështirë integrimin.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *