Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se është nënshkruar një kontratë kornizë me kompaninë amerikane AM General, një nga prodhuesit më të njohur të industrisë ushtarake. Marrëveshja parasheh blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS).
Sipas njoftimit, kontrata përfshin gjithashtu automjete bashkëkohore mbështetëse, furnizim me pjesë rezervë, shërbime të mirëmbajtjes, si dhe trajnime profesionale për operimin dhe mirëmbajtjen e këtyre sistemeve.
Me këtë investim, Forca e Sigurisë së Kosovës hyn në një fazë të re zhvillimi, duke rritur ndjeshëm fuqinë e zjarrit për qitje direkte në distanca të gjata. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë dhe të gatshme për veprim.
Blerja e sistemeve HUMVEE Hawkeye 105mm synon gjithashtu rritjen e ndërveprueshmërisë me aleatët strategjikë, duke kontribuar në siguri më të madhe për Kosovën dhe stabilitet afatgjatë në rajon.




