Nisja e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, është lufta që ka pasur mbështetjen më të ulët nga amerikanët.
Kështu ka deklaruar në emisioni Rubikon të Klan Kosovës, njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Bardh Zherka.
Sipas Zherkës, as stafi i presidentit Donald Trump nuk kanë qenë të pajtimit që të nisë sulmi amerikan ndaj Iranit. ‘Dihet botërisht se edhe zëvendëspresidenti JD Vance, ka qenë jashtëzakonisht kundër nisjes së këtij sulmi, gjithashtu edhe një pjesë tjetër e madhe e stafit të Trump kanë qenë kundër duke marrë parasysh se po ndodhë shumë shpejtë dhe duke marrë parasysh se për çka e ka marrë mandatin e dytë ai si president.
Kishte premtuar se do të jetë president që i ndalë luftërat në botë dhe se nuk do të përfshihet në luftërat në lindjen e mesme’, deklaroi Zherka.
Siç thotë Zherka, vetëm 37% e amerikanëve ishin pro fillimit të sulmeve e që krahasuar me luftërat tjera është mbështetje e ulët. ‘Një problematike tjetër në SHBA është se në sondazhe del se kjo është lufta me më pak mbështetje ndonjëherë në Amerikë.
Domethënë duke u nisur prej luftës së Vietnamit deri tash, asnjë luftë nuk ka pasur mbështetje fillestare më pak sesa kjo.
Diku 37% ke mbështetja e njerëzve që e kanë përkrahë këtë luftë duke e marrë parasysh që lufta me Afganistanin është përkrahur prej 85-90%, ajo e Vietnamit me 75%.
Secila prej tyre në fund të saj ka pasur rënie të përqindjes së përkrahjes por asnjë s`ka qenë më pak se fillimi i këtij konflikti’, tha Zherka në Rubikon.
