Mbrëmja “Nexhmije Pagarusha”, pjesë e programit të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, solli të martën në mbrëmje në Prishtinë një koncert me disa nga këngët më të dashura të muzikës shqiptare.
Në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Alma Bektashi, Liridon Sadriu, Malvina Likaj dhe Samir Shehu performuan së bashku me Pagarusha Band, duke interpretuar këngë që kanë lënë gjurmë te breza të tërë.
Me aranzhime nga Shpëtim Saraçi, këto këngë erdhën në një interpretim të ri, duke ruajtur frymën e tyre origjinale.
Programi përfshiu këngë folklorike, këngë qytetare dhe disa nga këngët më të njohura të muzikës së lehtë shqiptare.
Gjatë gjithë koncertit, publiku iu bashkua artistëve në interpretimin e shumë prej tyre, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione.
Koncerti u mbyll me kolazhin e disa prej këngëve më të dashura dhe më të njohura të Nexhmije Pagarushës.
Pas Prishtinës, mbrëmja “Nexhmije Pagarusha” do të vazhdojë edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Për herë të parë, koncerti do të mbahet më 16 korrik në Ferizaj, në Sheshin “Adem Jashari”, ndërsa më 18 korrik do të prezantohet në Parkun e Qytetit në Istog.
Të dy koncertet do të nisin në orën 20:00 dhe hyrja do të jetë e lirë.
Mbrëmja “Nexhmije Pagarusha” është pjesë e programit të Rame Lahaj International Opera Festival, i cili po zhvillohet nga 4 deri më 29 korrik nën moton “Play Music, Not War”.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





