E ardhmja e Karim Adeyemi te Borussia Dortmund po vazhdon të mbetet temë diskutimi, ndërsa kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në vitin 2027 dhe bisedimet për rinovim ende nuk janë finalizuar.
Klubi gjerman prej kohësh ka vendosur në tavolinë një ofertë për zgjatje kontrate, ndërsa lojtari, me ndihmën e agjentit të njohur Jorge Mendes, po negocion kushtet për pagën dhe klauzolën e lirimit.
Pavarësisht interesimit të mëparshëm nga Anglia, aktualisht nuk raportohet për oferta konkrete nga klubet elitare, sidomos për shkak të formës së luhatshme të 24-vjeçarit në pjesën e dytë të sezonit, ku shpesh ka mbetur në stol.
Në këtë situatë, vëmendjen e ka tërhequr edhe bashkëshortja e tij, Loredana, e cila në një transmetim në Twitch ka folur për ofertat dhe të ardhmen e lojtarit.
Ajo është shprehur: “Ai pati shumë mundësi për të ndërruar klube.
Por, Karim është thjesht një person besnik”.
Më tej, Loredana ka komentuar edhe jetën në Dortmund, duke mos i kursyer kritikat: “Dortmundi nuk është qyteti më i bukur, kështu që nuk kemi nevojë t’i gënjejmë askujt dhe të themi se është e mrekullueshme të jetosh këtu.
Sigurisht, ka vende më të bukura.
Por kjo nuk ka fare rëndësi për mua”.
Ajo ka shtuar gjithashtu se Adeyemi ka një qëndrim të qartë për karrierën e tij: “Ai gjithmonë thotë: Nëse ndonjëherë largohem nga Dortmundi, do ta bëj me mirënjohje.
Ai dëshiron të ndiejë se vërtet dha gjithçka për këtë ekip”.
Sipas saj, sulmuesi gjerman ka një objektiv të madh me klubin: “Ëndrra e tij është të fitojë kampionatin me Dortmundin.
Ai e dëshiron me dëshpërim këtë”.
