Një incident ka ndodhur të martën e 10 shkurtit rreth mesditës në lagjen Emshir të Prishtinë, shumë pranë shkollave të mesme, ku një adoleshent ka hyrë në një kafene dhe ka shtënë dy herë me pistoletë me gaz në drejtim të një nxënësi tjetër, me qëllim frikësimin e tij.
Ngjarja ka shkaktuar panik te klientët dhe nxënësit që ndodheshin në lokal, ndërsa sipas pronares së kafenesë, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur më herët jashtë.
Ajo rrëfen se situata u tensionua pasi njëri nga djemtë u kthye i vetëm në lokal dhe tjetri hyri me armë, duke shtënë dy herë para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve, pas të shtënave mysafirët janë larguar menjëherë nga lokali, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për “Përdorim të armës, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa i dyshuari është identifikuar, arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Rritja e rasteve të dhunës në shkollat e Kosovës po alarmon prindër, mësimdhënës e institucione, ndërsa ngjarjet e fundit dëshmojnë një realitet gjithnjë e më shqetësues.
Aktivistët e shoqërisë civile e lidhin rritjen e dhunës me mungesën e politikave efektive rinore dhe hapësirave të strukturuara për angazhim pas orarit mësimor.
Aktivistja Dorina Luka Davies thekson se prej vitesh Departamenti i Rinisë në kuadër të Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reduktuar mbështetjen financiare për organizatat rinore.
Ndërkaq, edhe aktivistja e rinisë Hatixhe Zeka nga organizata TOKA thekson se shteti duhet të rrisë buxhetin për aktivitetet rinore dhe për fëmijët.
Temë e trajtuar nga Kiks Kosova.
