Më 3 mars, Arjan Dreshaj nga Istogu nisi punën në kompaninë ‘Algida’ në nëndegën ‘Kajmak SH.P.K’.
Mirëpo, ai pretendon që në mëngjesin e 30 marsit u përballë fillimisht me presion psikologjik nga eprori i tij, Klit Qollaku.
Sipas Dreshajt, ky diskutim ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit para se të fillonin punën e zakonshme.
Mirëpo, ai thotë se situata u përshkallëzua edhe më shumë kur pas verifikimit të stokut të tij të akulloreve doli 1 mijë euro plus.
Kësisoj, thotë se pronari filloi ta akuzonte për vjedhje. 26-vjeçari pretendon se pasi pronari e ftoi në katin e sipërm të objektit ndodhi edhe sulmi fizik për të cilin thotë se mbeti me shenja në trup dhe fytyrë.
Pas disa minutash, në vendgjarje arritën Policia e Rajonit të Graçanicës.
Megjithatë, sipas 26-vjeçarit kërcënimet vazhduan edhe në mbrëmjen e 30 marsit nga Klit Qollaku.
Dreshaj pretendon se rasti i tij nuk qe i pari, ngase pronari i ‘Algidës’ ishte i ashpër edhe me të tjerë punëtorë.
Kësisoj, Dreshaj u largua nga puna dhe as pagën për 1 muaj punë nuk e mori ngase kontratë ligjore nuk kishte të nënshkruar.
Në lidhje me këtë situatë, Kiks Kosova shkoi tek zyret e kompanisë ‘Algida’ për të marrë anën tjetër të kësaj historie nga vet drejtori Qollaku.
Por, atë nuk e gjeti në vendin e punës dhe një punëtor i kompanisë i tha ekipit që pronari është jashtë shtetit dhe do t’ia përcjell kërkesën e emisionit për të biseduar rreth rastit.
As pas insistimit për të marrë përgjigjen e tij, kontakti me të ka qenë i pamundur.
Ndërsa, nga Policia, i konfirmuan emisionit që është hapur rast për këtë ngjarje.
