I mituri gjobitet për shkelje të rënda në Ferizaj, automjeti i tij i paregjistruar

Një person i ri është gjobitur, pasi nuk i është ndalur patrullës policore dhe më pas ka shkaktuar një aksident trafiku në Ferizaj.

Sipas Policisë së Ferizajt, ngjarja ka ndodhur më 5 janar 2026, në rrugën “Rexhep Bislimi”, ku personi E.A. (17 vjeç), duke drejtuar një VW Golf me targa vendore, nuk është ndalur nga patrulla e policisë.

Ai ka vazhduar lëvizjen dhe në rrugën kryesore, në fshatin Bibaj të Ferizajt, ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale, duke u përplasur me një automjet tjetër.


- Advertisement -

Në kontrollin policor është zbuluar se i dyshuari nuk kishte patentë shoferi, ndërsa automjeti ishte i paregjistruar me afat regjistrimi të skaduar.

Policia ka shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 600 eurosh për shkeljet e kryera, duke filluar nga mosndalja në shenjën “STOP”, deri te shkaktimi i aksidentit dhe drejtimi i automjetit me regjistrim të skaduar.

Po ashtu, është nisur një rast gjyqësor për drejtim të automjetit pa patentë shoferi dhe automjeti është konfiskuar përkohësisht.

Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, për të rritur sigurinë në rrugët e qytetit.

- Advertisement -