Florie Selmani, vajza e shtetasit kosovar Osman Selmani, ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare që kanë monitoruar refugjatët gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar dëshmi që, sipas saj, mund të vërtetojnë se babai i saj nuk ka kryer krime lufte.
Osmani Selmani, 74-vjeçar, ishte arrestuar më 1 korrik nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë, gjatë kthimit nga Medvegja në Prishtinë, nën dyshimet për krime lufte.
Sipas vajzës së tij, gjatë luftës në Kosovë, familja Selmani ishte larguar nga shtëpia dhe kishte qëndruar si refugjate në Maqedoninë e atëhershme.
Ajo ka kërkuar nga organizatat që kanë qenë të përfshira në menaxhimin e refugjatëve në Çegran, Gostivar, gjatë periudhës së luftës, që të ofrojnë dokumente dhe informacione për të dëshmuar qëndrimin e Osman Selmanit në kampin e refugjatëve.
Florie Selmani i është drejtuar organizatave si UNHCR, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera humanitare për të dokumentuar pafajësinë e babait të saj.
Ajo bëri thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës lidhur me rastin e babait të saj dhe ka shpresë që dëshmitë e ofruara nga organizatat ndërkombëtare do të ndihmojnë në dokumentimin e historisë së familjes së tyre, veçanërisht lidhur me Osman Selmanin.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





