Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, ka thënë se sovraniteti i Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të vihet në dyshim.
Deklaratat, ministri shqiptar i bëri gjatë një interviste për TRT Ballkan. ‘Natyrisht që kemi problemin, që s’kemi si të mos e përmendim që është problemi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova është një vend demokratik, është një vend i stabilizuar, është një vend i cili po zhvillohet në mënyrë të shpejtë, është një vend sovraniteti i të cilit nuk mund dhe nuk duhet të vihet në dyshim, por procesi i normalizimit me Serbinë nuk ka shkuar aty ku duhet’.
Hoxha mes tjerash theksoi se Shqipëria ka investuar vetëm në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. ‘E kemi bërë këtë duke forcuar marrëdhëniet me të gjitha vendet në rajon, përfshirë me Kosovën në mënyrë të padiskutueshme.
E kemi bërë këtë përmes formave të ndryshme dhe bashkëpunimit, nismave’, shtoi ai.
