Artistja e re nga Tetova, Era Emurli, duket se është përfshirë në një “konflikt” të vogël në rrjetet sociale me reperen shumë të suksesshme të estradës shqiptare, Tayna.
E gjithë situata nisi pasi Era ishte e ftuar së fundmi në emisionin “R Studio” në Radio Dukagjini, ku performoi live këngën e saj “Shok e 1 shish”.
Videoja e performancës u shpërnda më pas edhe në rrjetet sociale, ku mori vëmendje të konsiderueshme nga ndjekësit.
Por ajo që ra më shumë në sy ishte një koment i reperes Doruntina Shala – Tayna, e cila në TikTok i kishte shkruar: “Me tekste të vjedhura nuk e kemi bo”, duke e shoqëruar edhe me një emoji ironik duke qeshur.
Komenti u interpretua nga një pjesë e ndjekësve si një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Erës dhe ndaj teksteve të këngës së saj.
