Aktorja Emily Blunt, gjatë turneut promovues për filmin “The Devil Wears Prada 2”, ka ndarë një këshillë karriere që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, sidomos në kontekstin e situatës aktuale ekonomike.
Deklarata e saj, e dhënë në një intervistë për Betches, hapi debat rreth privilegjit të personazheve të famshëm dhe realitetit me të cilin përballen shumica e njerëzve, shkruan BuzzFeed.
E pyetur se çfarë do t’u këshillonte grave që janë të pakënaqura me punën e tyre, Blunt – e cila në filmin e parë luante rolin e një asistenteje që mezi ia del financiarisht dhe përballet me presion e trajtim të keq në vendin e punës – fillimisht u përgjigj me shaka, duke pëshpëritur: “Jepni dorëheqjen… Jo”.
Më pas ajo vijoi me një përgjigje më serioze. “Thjesht gjeni diçka që, thellë brenda vetes, dëshironi ta bëni”, tha ajo. “Edhe nëse nuk fitoni para prej saj, për sa kohë e doni, do të jeni të lumtur”.
Për shumë njerëz, kjo këshillë u duk e rëndë për t’u pranuar, sidomos në një kohë kur shumëkush po përballet me një ekonomi të pasigurt dhe me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Për ta, lënia e punës pa siguri financiare mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata.
Në Reddit u zhvillua një diskutim i gjerë, ku shumë përdorues nuk u pajtuan me deklaratën: “Në këtë ekonomi?”, “Realiteti është që, nëse s’të pëlqen puna, idealja është të largohesh – por nëse të duhen paratë, gjej fillimisht një punë tjetër e pastaj jep dorëheqjen”, “Shpresat dhe ëndrrat nuk paguajnë qiranë”, “Pyetje e keqe për një person të pasur”, ishin disa nga komentet.
Disa përdorues treguan edhe mënyrën se si ata e menaxhojnë pakënaqësinë në punë: “I them vetes se ata janë me fat që më kanë mua, dhe unë jam me fat që kam një karrierë”, shkroi njëri.
Një tjetër shtoi: “Kur çmendem në punë, thjesht përsëris ‘E dua punën time’ pa pushim, ashtu si Emily në atë skenë.
Ndihmon”.
Megjithatë, pati edhe nga ata që e mbrojtën Blunt, duke theksuar se ndoshta ajo duhej të ishte më e kujdesshme me fjalët në intervistë: “Nuk besoj se Emily e kishte me të keq.
U përpoq të përgjigjej sa më mirë”, “Nuk ka përgjigje që nuk do ta nxiste ekipin ‘ajo është e privilegjuar’”.
