Kanë kaluar pesë vite nga aksidenti i rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë shqiptarë.
Në këtë përvjetor të dhimbshëm, Elijona ka ndarë një mesazh prekës për të kujtuar nënën dhe motrën e saj, Lindën, të cilat u ndanë nga jeta më 25 korrik 2021.
Elijona, e cila ishte vetëm 14 vjeçe në momentin e tragjedisë, ka rrëfyer përmes një dedikimi në rrjetet sociale dhimbjen e madhe që vazhdon ta shoqërojë dhe mungesën e pazëvendësueshme të dy personave më të rëndësishëm në jetën e saj.
Sot, në moshën 19-vjeçare, ajo kujton se ka arritur të njëjtën moshë që kishte motra e saj, Linda, kur humbi jetën tragjikisht.
Elijona ka theksuar se vetëm tani arrin ta kuptojë më mirë sa e re ishte motra e saj dhe sa shumë ëndrra e plane kishte ende përpara. ‘Isha vetëm 14 vjeçe kur ju humba.
Sot jam 19 vjeçe… po aq sa ishe ti Linda, kur jeta jote u ndërpre.
Sot e kuptoj edhe më shumë sa e re ishe.
Ti kishe vetëm 19 vjeçe, me aq shumë ëndrra, plane dhe momente që ende nuk i kishe jetuar,’ ka shkruar ajo.
Në mesazhin e saj, Elijona ka treguar se kujtimi i nënës dhe motrës është forca që e ndihmon të vazhdojë përpara.
Ajo është shprehur se çdo arritje dhe çdo përpjekje në jetë ua dedikon atyre, me shpresën se po i bën krenare nga lart.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





