Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se përgjegjësia për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës i takon subjektit politik më të madh në vend.
Lushaku-Sadriu ka kritikuar zhvillimet në Kuvend, duke thënë se deputetët dhe subjektet politike kanë marrë besimin e qytetarëve për të mundësuar funksionalizimin e institucioneve. “Fatkeqësisht, qytetarëve të Kosovës dhe besimin që na e kanë dhënë si deputetë edhe si subjekte politike na e kanë dhënë që t’i konstituojmë institucionet dhe që të jenë funksionale, në funksion të shtetit të Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik, nuk po e përmbush obligimin për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. “Por po e shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të bërë votimin dhe për t’u konstituar Kuvendi”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ajo e ka cilësuar situatën si “fatkeqësi” dhe “mungesë të madhe të përgjegjësisë”, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin zhvillimet në Kuvend. “I bëj të gjithë qytetarëve thirrje që ta shohin këtë pamje të një Kuvendi i cili mblidhet dhe nuk arrin që të konstituohet, e përgjegjësia i takon subjektit më të madh”, tha deputetja e LDK-së.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





