Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me dyshimet për ekzistimin e një varreze masive në Zubin Potok, duke thënë se konfirmimi i saj do të përbënte një moment të rëndësishëm për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore duhet të mbështetet në punën e tij profesionale. “Vërtetimi për varrezë masive në Zubin Potok do të ishte moment tepër i rëndësishëm për dëshmimin e mëtutjeshëm të krimeve të Serbisë në Kosovë.
Profesionistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) duhet të mbështeten në punën e tyre profesionale”, ka shkruar Ramadani.
Ai kritikoi edhe gjendjen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke pretenduar se institucioni ishte lënë pa investime, ndërsa, sipas tij, ishin rritur në mënyrë të paligjshme pagesat për kompanitë. “IML mbeti gjatë pa kulm, ndërsa u rritën jashtëligjshëm pagesat për kompanitë për 326 për qind.
Duhet mbështetur profesionistët, jo të zhvatet buxheti për kulmin e ndërtesës së tyre”, u shpreh ai.
Ramadani tha se Serbia dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë. “Serbia dhe hajnia janë kërcënuesit kryesorë të sigurisë”, shtoi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





