Karyna Shuliak, një dentiste 37-vjeçare me origjinë nga Bjellorusia, është përmendur në dokumentet hetimore si një nga personat që mund të trashëgojë një pjesë të madhe të pasurisë së Jeffrey Epstein.
Ajo mund të përfitojë rreth 85 milionë euro, përfshirë edhe një unazë diamanti 33 karatësh.
Vlera përfundimtare e pasurisë së Epstein mbetet e paqartë, pasi një pjesë e parave u është paguar viktimave të tij dhe aktualisht vlerësohet mes 120 dhe 200 milionë dollarëve.
Shuliak u bë e njohur pas publikimit të dokumenteve që zbuluan marrëdhënien e saj afro tetëvjeçare me Epstein.
Dokumentet tregojnë se ai e quante shpesh ‘të preferuarën’ e tij, i shprehte dashurinë, i dha akses në karta bankare, i pagoi rreth 850 mijë euro gjatë viteve dhe ndihmoi edhe familjen e saj në Bjellorusi.
Ajo udhëtoi nëpër botë me Epstein dhe e ndihmoi në menaxhimin e pronave, stafit dhe çështjeve personale të tij.
Ai gjithashtu e ndihmoi të pranonte në Shkollën e Mjekësisë Dentare të Universitetit Columbia dhe pagoi shkollimin e saj.
Ajo u takua me Epstein në vitin 2011, pasi kishte ardhur në ShBA si studente.
Më vonë, sipas hetimeve, Epstein organizoi një martesë të saj me një asistent të tij për ta ndihmuar të qëndronte ligjërisht në ShBA, ku më pas mori kartën e gjelbër dhe shtetësinë amerikane në vitin 2018.
Pas arrestimit të Epstein në vitin 2019, Shuliak qëndroi jashtë vendit, ndërsa pak para vdekjes së tij ai ndryshoi testamentin duke përfshirë edhe unazën e diamantit si një dhuratë.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





