Endrit Nika është dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray, një rast që tronditi opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11.02.2025, Nika akuzohej se më 01.08.2023, në Fushë Kosovë, në hotelin “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje me të ndjerën M.K.U., fillimisht e kishte goditur në vazhdimësi dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun jashtë hotelit. Më pas, pasi kishin hyrë në dhomën ku po qëndronin, sipas Prokurorisë, ai kishte vazhduar përleshjen fizike.
Dosja e Prokurorisë thekson se i pandehuri, me dashje për ta privuar nga jeta, e kishte shtyrë viktimën në një qoshe të dhomës nga ku ajo nuk kishte mundësi largimi. Gjatë përleshjes, ai kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Si pasojë e rënies, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), kishte ndërruar jetë.
Prokuroria e ka ngarkuar Nikën me veprën penale “vrasje e rëndë”.
Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm prokurori Armend Hamiti, avokati i të akuzuarit Drilon Imeri, si dhe familjarët e viktimës dhe të akuzuarit. Çështja u gjykua nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri si kryetar, si dhe anëtarët Gzim Ademi dhe Alltëne Murseli.
Gjatë seancës së 28.05.2025, Endrit Nika nuk i kishte pranuar akuzat, duke deklaruar: “Jam 100% i pafajshëm”. Ai kishte dhënë versionin e tij edhe në seancat e 22.01.2026 dhe 03.02.2026.
Rasti mori jehonë shtesë pas publikimit të një hulumtimi nga KALLXO.com më 15.02.2026, ku u trajtua një pretendim për një aferë prej 50 mijë eurosh në dosjen e aktakuzës. Sipas atij publikimi, në pamje dhe audio-incizime përmendeshin pazare të dyshuara për lirimin nga aktakuza të të akuzuarit. Në hulumtim u theksua se një zyrtar i Policisë dyshohet se kishte qarkulluar para të familjes së të dyshuarit tek avokatët.
Me vendimin e fundit të gjykatës, Endrit Nika është dënuar me 18 vjet burgim, duke i dhënë një epilog gjyqësor njërit prej rasteve më të përfolura të viteve të fundit.
