Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin e njohur amerikan The Jennifer Hudson Show, ku ka folur për rrugëtimin e saj artistik dhe projektet e reja muzikore, përfshirë albumin e shumëpritur “Dirty Blonde”.
Gjatë intervistës me moderatoren Jennifer Hudson, artistja ndau një kujtim personal nga rinia e saj, duke treguar se kur ishte ende e panjohur, kishte shkruar në derën e dhomës në shtëpinë e prindërve në New York një mesazh motivues për veten: se një ditë do të bëhej superyll dhe do të kompozonte një hit ndërkombëtar.
Sot, këto dy ëndrra janë bërë realitet, pasi ajo gëzon një karrierë globale dhe ka krijuar disa prej këngëve më të suksesshme të viteve të fundit.
Rexha tregoi se gjatë jetës ka bërë shumë “manifestime” apo dëshira që i ka projektuar me bindje për të ardhmen e saj, duke përmendur se shumë prej tyre janë realizuar – nga bashkëpunimet e para me marka e deri te paraqitjet në talk show të mëdha.
Megjithatë, ajo pranoi me sinqeritet se ka një dëshirë që ende nuk i është plotësuar plotësisht: dashuria. “Kam pasur shumë manifestime dhe shumica janë bërë realitet… përveç dashurisë”. u shpreh këngëtarja me një ton paksa emocional, ndërsa moderatorja e inkurajoi duke i thënë se për këtë ka ende kohë.
