BE-ja liron 216 milionë euro për Kosovën, hiqen pjesërisht masat ndëshkuese pas zhvillimeve në veri

- Advertisement -

Komisioni Europian ka vendosur të lirojë 50 për qind të ndihmës financiare për Kosovën, në vlerë prej 216 milionë eurosh, si pjesë e procesit të heqjes graduale të masave ndëshkuese që Bashkimi Europian ka aplikuar ndaj vendit për më shumë se dy vite. Vendimi vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës dhe kalimit të qetë e të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në dhjetor 2025.

Sipas Komisionit Europian, ky hap do të mundësojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte konkrete, me një kontribut të përgjithshëm të BE-së prej 34.6 milionë eurosh, si dhe nisjen e zbatimit të tyre. Po ashtu, do të përfundojë programimi i të gjitha fondeve të mbetura të IPA III të dedikuara për Kosovën, në vlerë prej 181 milionë eurosh. Vendimi për financimin pritet të miratohet në pranverën e vitit 2026, duke hapur rrugën që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të po atij viti.

Më 16 dhjetor 2025, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, ku konfirmohet se Komisioni Europian ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Sipas Bislimit, bëhet fjalë kryesisht për projekte të lidhura me programet IPA, me vlerë 34.6 milionë euro.

- Advertisement -

Bislimi theksoi se institucionet e Kosovës kanë insistuar vazhdimisht për heqjen e masave dhe e cilësoi këtë vendim si një hap pozitiv, duke kërkuar që procesi të vazhdojë deri në heqjen e plotë të tyre. Ai nënvizoi se nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e masave të mbeten në fuqi, veçanërisht pas transferimit ligjor dhe paqësor të pushtetit në katër komunat veriore.

Megjithatë, një pjesë e masave vazhdon të mbetet ende e bllokuar, pa një sqarim të qartë nga BE-ja. Pas transferimit të pushtetit në veri, Komisioni Europian kishte deklaruar se po merr parasysh njoftimin për zgjedhjet e reja parlamentare në fund të dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë, konkurrues dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje nga të gjitha komunitetet.

Bashkimi Europian ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës sapo ato të dalin nga zgjedhjet dhe ka ritheksuar mbështetjen për vendin në rrugën e integrimit europian. Njëkohësisht, BE-ja ka bërë thirrje që Kosova të rikthehet në kursin e reformave, në interes të qytetarëve dhe të progresit në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023, si reagim ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri, pas fillimit të punës së kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, të zgjedhur në zgjedhje të bojkotuara nga serbët lokalë. Një nga kushtet kryesore për heqjen e masave ishte mundësia që serbët e Kosovës të votonin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Edhe pse në vitin 2024 u organizuan votime për këtë çështje, ato u bojkotuan nga Lista Serbe dhe masat nuk u hoqën.

Situata ndryshoi pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, kur Lista Serbe riktheu pushtetin në katër komunat me shumicë serbe. Në Mitrovicën e Veriut u zgjodh Milan Radojeviq, në Leposaviq Zoran Todiq, në Zveçan Dragisha Miloviq, ndërsa në Zubin Potok Milosh Peroviq, duke zëvendësuar kryetarët shqiptarë që kishin drejtuar këto komuna për rreth tre vjet.

Ndërkohë, masat e BE-së kanë pasur ndikim të ndjeshëm financiar për Kosovën. Sipas një raporti të Institutit GAP, deri në qershor 2025, Kosova ka humbur tërësisht 7.1 milionë euro si pasojë e skadimit të afateve për nisjen e projekteve të caktuara. Në total, masat kanë rezultuar në pezullimin ose shtyrjen e projekteve në vlerë prej rreth 613.4 milionë eurosh, duke prekur veçanërisht sektorët e mjedisit, energjisë, digjitalizimit dhe kulturës.

Pavarësisht lirimit të pjesshëm të fondeve, Kosova vazhdon të mos ftohet në ngjarje të nivelit të lartë të BE-së, ndërsa vizitat bilaterale mbeten të kufizuara. Institucionet kosovare vazhdojnë të kërkojnë heqjen e plotë të masave, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.

- Advertisement -