Qyteti australian i Sidneit po përjeton ditë të zeza pas një ngjarjeje të rëndë që tronditi opinionin publik. Në Bondi Beach, një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit, një sulm i armatosur la të vdekur 16 persona, mes tyre edhe një nga dy të dyshuarit për sulmin.
Pas këtij akti të rëndë, i cilësuar si sulm terrorist antisemit, autoritetet lokale kanë marrë vendimin të anulojnë të gjitha festimet e Vitit të Ri që ishin planifikuar në këtë zonë. Këshilli lokal i Waverley njoftoi se, për shkak të situatës së sigurisë dhe respektit ndaj viktimave, nuk do të mbahen aktivitetet festive në Bondi Beach, përfshirë ngjarjet e mëdha si elrow XXL Bondi dhe Local’s Lawn.
Në deklaratën zyrtare thuhet se vendimi është marrë pas vlerësimeve të detajuara në terren dhe në koordinim me autoritetet e sigurisë. Ndërkohë, Policia e New South Wales ka nisur rihapjen graduale të disa rrugëve që ishin mbyllur pas të shtënave.
“Pas analizës së vendit të krimit dhe zonave përreth, disa rrugë do të rihapen për qarkullim të automjeteve dhe transport publik nga ora 14:00,” thuhet në njoftimin e policisë, sipas Sky News.
Megjithatë, disa pjesë të Bondi Beach mbeten ende të izoluara, ndërsa hetimet për ngjarjen tragjike vazhdojnë. Autoritetet kanë theksuar se siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut dhe se çdo vendim do të merret në përputhje me zhvillimet e mëtejshme.
