Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, kanë nënshkruar aneksin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Aneksi vjen si vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur në vitin 2010 dhe synon forcimin e bashkëpunimit për rehabilitimin dhe riintegrimit të personave të burgosur.
Këshilltarët e punësimit do të ofrojnë mbështetje drejt integrimit në tregun e punës, duke ofruar informacione mbi mundësitë e punësimit dhe shërbimet pas lirimit.
Programi pritet të lehtësojë tranzicionin e tyre në shoqëri dhe të ulë rrezikun e rikthimit në vepra penale.
