Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar ish-kongresistin amerikan Eliot Engel, duke thënë se ai e njihte të drejtën historike të Kosovës për të pasur një shtet.
Në seancën për nder të tij, Kurti e nisi fjalimin me një deklaratë të ndjerit dhe qëndrimin e tij për vendin tonë. ‘Besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia.
Më lejoni të them Kosovë, sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosovë.
Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen mirë nën Serbi,’ citoi Engelin në deklaratën që e kishte dhënë gjatë një paraqitjeje në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 1999.
Kurti tha se si mik i shqiptarëve, nuk kishte hezitim të ngriste zërin për të ardhmen e Kosovës. ‘Miku dhe mbështetësi i shqiptarëve nuk hezitoi të ngrinte zërin për të drejtat e njeriut dhe të pozicionohej në anën e duhur të historisë.
Interesi i sinqertë për të ardhmen e Kosovës ishte në qendër të takimeve tona që kemi pasur duke filluar nga takimi i parë me të në 1997 në New York,’ tha Kurti.
