Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vrasja e vëllezërve Bytyqi është dëshmi e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe mungesë e plotë e Serbisë për të dhënë përgjegjësi.
Ai ka shtuar se kalimi i kohës nuk e zvogëlon detyrimin e Serbisë për përgjegjësi. “Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.
Përkundrazi, çdo vit që kalon e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë”, ka thënë Kurti në përvjetorin e 27-të të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit.
Ai ka përmendur se së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje të vazhdueshme për drejtësi dhe zbardhje të krimit. “Republika e Kosovës beson se paqja dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve të rajonit mund të ndërtohen vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë”, ka theksuar Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





