Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qeveria që ai drejton ka arritur të ndryshojë në mënyrë thelbësore strukturën e pronësisë së terminaleve doganore në vend.
Sipas Kurtit, në momentin kur mori detyrën, situata ishte e pabalancuar, me vetëm një terminal doganor në pronësi shtetërore dhe plot dhjetë të tjerë në duar private. Ai theksoi se kjo gjendje ka qenë problematike për menaxhimin dhe kontrollin e proceseve doganore.
“Vetëm një terminal doganor e gjetëm të shtetit, dhjetë privatë. Sot, të gjitha terminalet janë në pronësi publike,” u shpreh Kurti.
Ky ndryshim, sipas tij, synon të rrisë transparencën, kontrollin institucional dhe efikasitetin në menaxhimin e pikave doganore. Po ashtu, ai nënvizoi se kalimi i terminaleve në pronësi publike është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shtetit dhe luftimit të ndikimeve të interesave private në sektorë strategjikë.
Qeveria ka paralajmëruar se do të vazhdojë me reforma të ngjashme edhe në fusha të tjera, me qëllim rritjen e kontrollit publik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
