Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova ka siguruar gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas miratimit të projekteve në kuadër të programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian e ka njoftuar zyrtarisht Kosovën më 7 korrik se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në vlerë prej 180.5 milionë euro.
Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe nënshkrimit e ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të nisin zbatimin.
Ai bëri të ditur se fondet do të investohen në fushat prioritare të vendit, përfshirë mjedisin dhe klimën, energjinë, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.
Rreth gjysma e mjeteve do të destinohen për investime infrastrukturore.
Kurti njoftoi gjithashtu se janë miratuar edhe tri grante nga WBIF në vlerë totale prej 25.9 milionë euro, të dedikuara për përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë dhe për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, ky i fundit me grant investues prej 24.3 milionë euro në bashkëpunim me BERZH.
Në fund, Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se këto fonde do të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimin e Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





