Albin Kurti: Familja Jashari simbol i lirisë së Kosovës – Përkujtimi i 28-vjetorit të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përkujtimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka theksuar rëndësinë historike të qëndresës së familjes Jashari në Prekaz.

Në mbledhjen solemne të Qeverisë, ai tha se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, përfaqëson një moment vendimtar në vetëdijen kombëtare dhe në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë. “Epopeja e UÇK-së përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe në bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme.


- Advertisement -

Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm ku për tri ditë e tri net rresht një familje liridashëse autoktone i bën rezistencë një shteti policor dhe okupator.

Edhe pse familja Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të pajisura me makineri të rënda, ata luftuan dhe qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithëve ne”, u shpreh kryeministri. “Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë – liria, sepse asgjë nuk është më e vlefshme se ajo.

Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga Adem Jashari.

Ata qëndruan bashkë, nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja”, shtoi Kurti.

Pos kësaj mbledhjeje, do të mbahet edhe seancë solemne e Kuvendit të Kosovës e cila nis në orën 10:00.


- Advertisement -