Aktori Stewart McLean i ‘Virgin River’ gjetur i vdekur në Kanada – Hetohet si vrasje

Aktori Stewart McLean, i njohur për rolin e tij në serialin e Netflix-it ‘Virgin River’, është gjetur i vdekur shtatë ditë pasi u raportua i zhdukur në provincën kanadeze të British Columbia-s.

Ai ishte 45 vjeç.

Trupi i tij u gjet në Lions Bay, një komunitet në veri të Vankuverit, tha Njësia e Hetimit të Vrasjeve (IHIT).


- Advertisement -

Data e saktë e gjetjes së trupit nuk është njoftuar ende.

Vdekja e aktorit po trajtohet si vrasje dhe sipas policisë, është një ‘incident i izoluar’.

Zyra e Mjekut Ligjor të Kolumbisë Britanike po përcakton shkakun e saktë të vdekjes.

McLean u shfaq së fundmi në një episod të serialit të Netflix-it ‘Virgin River’, dhe është i njohur për publikun edhe për rolet e tij në projektet ‘Beyond’ dhe ‘Traveler’.

Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi më shumë se 30 role në produksione të ndryshme.

Policia e Squamish fillimisht mori një raport për zhdukjen e tij të hënën dhe ai u pa për herë të fundit më 15 maj në shtëpinë e tij në Lions Bay.

Në një deklaratë të mëparshme, policia deklaroi se ekziston ‘shqetësim i madh për shëndetin dhe sigurinë e tij’ dhe u bëri thirrje qytetarëve të japin informacion nëse e kanë. Çështja u mor më pas përsipër nga Njësia e Hetimit të Vrasjeve, e cila konfirmoi se një hetim për vdekjen e tij kishte filluar të mërkurën.

Sipas policisë, gjatë hetimit fillestar, u mblodhën prova që i çuan hetuesit në përfundimin se McLean ishte viktimë e një vrasjeje, megjithëse detajet e këtyre provave nuk u zbuluan.

Hetimi është ende duke vazhduar dhe hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjen dhe aktivitetet e aktorit para 15 majit, duke analizuar provat, pamjet e kamerave të mbikëqyrjes dhe intervistat me dëshmitarët.

Policia tha se po punon mbi të gjitha informacionet në dispozicion për të përcaktuar të gjitha rrethanat e rastit.

Agjencia Lucas Talent Inc., e cila përfaqësonte McLean-in, e përshkroi atë si një njeri të përkushtuar, profesional dhe me humor të jashtëzakonshëm.

Agjentja e tij, Jodi Caplan, me të cilën ai punoi për më shumë se një dekadë, tha se reagimet e kolegëve të tij në industri treguan se sa shumë respektohej ai.


- Advertisement -