Këngëtarja e njohur Adelina Thaçi ka ndarë një rrëfim emocional për mungesën e babait të saj, aktorit të ndjerë Rasim Thaçi – Cima, një prej ikonave të humorit shqiptar. E ftuar në emisionin “Sol” në Klan Kosova, ajo foli me mall e respekt për kohën që ka kaluar me të dhe për boshllëkun që ka lënë ndarja e tij nga jeta.
“Babi ka qenë krenari, dhe jam e lumtur se jam pjesë e familjes Thaçi. Mua më mungon babi gjithmonë, më mungon për këshillat, më mungon për bisedat tona, qofshin edhe biseda serioze”, u shpreh ajo, duke e theksuar se lidhja e tyre ka qenë e veçantë.
Artistja shtoi se këshillat prindërore janë ato që i mungojnë më së shumti:
“Më mungojnë këshillat shumë si prind, ato po të mungojshin gjithmonë”.
E prekur, Adelina theksoi se kujtimet janë ajo çka e mbajnë të fortë përballë dhimbjes së humbjes:
“Ndjej shumë mall se më mungon, thjesht kam shumë çka me kujtu, kjo është më e bukura. Sepse ne nuk kemi me jetu gjithmonë, andaj kujtimet neve na mbajnë gjallë, na lehtësojnë sado pak atë mos praninë e personit që kemi humbur, këtë rast të babit tim”.
Rasim Thaçi – Cima ndërroi jetë më 26 mars 2021, gjatë trajtimit në QKUK. Ai mbetet një figurë shumë e dashur për publikun, i njohur për rolet e shumta në skenën e humorit dhe kontributin e tij në artin shqiptar.
