Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij para delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ka reflektuar mbi pesë vitet e tij në krye të LDK-së, duke thënë se që në fillim e kishte ditur se posti i kryetarit nuk i përkiste përgjithmonë. “Dy vite më parë, kur mora për herë të parë karrigen e kryetarit të LDK-së, e kam ditur qartë se kjo karrige nuk më përkiste përgjithmonë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai foli për sfidat dhe përgjegjësitë që ka bartur gjatë mandatit, duke theksuar se udhëheqja e LDK-së është bërë pjesë e jetës së tij. “Gjatë këtyre pesë viteve kjo detyrë është bërë pjesë e jetës sime.
Ka pasur ditë kur kjo shtëpi më ka dhënë krenarinë më të madhe, ka pasur edhe ditë kur më ka rënduar më shumë se ç’mund të bartë një njeri”, u shpreh ai.
Abdixhiku u tha delegatëve se të gjitha vendimet që ka marrë kanë qenë në funksion të interesit të LDK-së dhe jo të interesit personal. “Mund t’ju kem bërë krenarë dhe mund t’ju kem lënduar, por një gjë mund t’ua them me ndërgjegje të plotë: asnjë veprim, asnjë vendim nuk e kam marrë duke menduar për veten time, por për LDK-në.
Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku mbërrin në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, nuk flet para mediave: Do të flas brenda.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku delegatët pritet të vendosin për mocionin që lidhet me vazhdimin e mandatit të tij në krye të LDK-së.
Para nisjes së punimeve, Abdixhiku nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, duke bërë të ditur se qëndrimet e tij do t’i paraqesë në fjalën hyrëse para delegatëve.
Ai tha se pas përfundimit të Kuvendit do të mbajë një konferencë për media, ku do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. “Pas përfundimit të Kuvendit do të mbaj fjalë për media”, deklaroi Abdixhiku.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





