Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është betuar zyrtarisht për mandatin e tij të dytë gjatë seancës inauguruese të Asamblesë Komunale, ku falënderoi qytetarët për besimin dhe theksoi se përgjegjësia për zhvillimin e kryeqytetit është e përbashkët.
Rama u shpreh se mandati i ri do të fokusohet në përfundimin e projekteve kapitale, përparimin në arsim, shëndetësi dhe zhvillim rural, si dhe përkrahjen e ideve inovative të të rinjve.
“Ky besim është përgjegjësi dhe motiv. Ne do të punojmë me përkushtim të palëkundur për qytetin tonë”, deklaroi ai.
Duke përmendur sfidat e katër viteve të fundit, Rama theksoi se bllokadat politike kanë ngadalësuar zhvillimin e Prishtinës, por bëri thirrje për bashkëpunim mes asambleistëve:
“Secili jemi të votuar për t’i shërbyer qytetarëve, jo partive. Uroj që në këtë mandat të mos krijojmë bllokada artificiale, por të punojmë për të ardhmen tonë.”
Ai rikujtoi rëndësinë e punës së drejtuesve të drejtorive dhe administratës komunale, duke theksuar se qytetarët presin rezultate e jo përplasje:
“Qytetarët nuk na kanë zgjedhur për t’i ushqyer egot tona, por për të punuar për ta. Unë do të jem këtu 24/7 – pa ngjyra politike, pa inate e pa barriera.”
Në kuadër të vizionit “Prishtina përtej”, Rama njoftoi edhe një prej projekteve më ambicioze: organizimin e Lojërave Olimpike “Prishtina 2030”.
“Kjo është mundësi historike për qytetin dhe për Kosovën. Duhet bashkim dhe vizion i përbashkët për brezat e rinj dhe për imazhin ndërkombëtar të Prishtinës”, tha ai.
Kryetari Rama e mbylli fjalimin me mesazhin:
“Ky është momenti ynë. Bashkë mund ta ndërtojmë Prishtinën e së nesërmes. Tani është koha për punë të mëdha.”
Asambleja Komunale e Prishtinës përbëhet nga 51 anëtarë, të zgjedhur në raundin e parë të zgjedhjeve të 12 tetorit. LDK ka 15 përfaqësues, PDK dhe LVV nga 12, AAK 5, “Lidhja për Prishtinën” 4, ndërsa Lista GUXO, PSD dhe Nisma nga një asamblist.
