Mauricio Pochettino pritet të sjellë ndryshime të mëdha te Manchester United, menjëherë pas marrjes së drejtimit të skuadrës.
Një nga vendimet e tij të para lidhet me mënyrën e përgatitjes fizike të futbollistëve.
Trajneri argjentinas, i cili e zëvendësoi Michael Carrick, ka si synim të ndryshojë disa nga zakonet e krijuara në klub, duke vendosur kërkesa më të larta për përgatitjen dhe rikuperimin e lojtarëve.
Sipas raportimeve të The Sun, Pochettino ka përgatitur edhe stafin e tij teknik për aventurën në ‘Old Trafford’.
Në mesin e tyre është edhe djali i tij, Sebastiano Pochettino, i cili më parë kishte punuar si trajner i përgatitjes fizike te kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë periudhës së Carrick, Manchester United nuk kishte një specialist të përgatitjes fizike të zgjedhur nga trajneri.
Në vend të kësaj, klubi punoi me Charlie Owen, i cili mban këtë pozitë që nga viti 2019, kur u promovua brenda klubit gjatë periudhës së Ole Gunnar Solskjaer.
Sipas The Sun, seancat stërvitore të Owenit ishin miratuar edhe nga Mitchell Van der Gaag, ish-ndihmësi i Erik Ten Hagut, si dhe nga vetë futbollistët.
Megjithatë, statistikat e Manchester Unitedit këtë sezon kanë nxjerrë në pah probleme në aspektin fizik: skuadra renditet e 19-ta në Ligën Premier për distancën totale të përshkuar, e 17-ta për distancën e vrapimit me shpejtësi të lartë dhe sërish e 19-ta për shpejtësinë mesatare maksimale.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që pritet të bëjë Pochettino lidhet me seancat e rikuperimit pas ndeshjeve.
Argjentinasi dëshiron që futbollistët të paraqiten në qendrën stërvitore Carrington edhe një ditë pas ndeshjeve për të zhvilluar ushtrime rikuperimi.
Kjo do të ishte një ndryshim nga praktika e Carrick, i cili, sipas raportimeve, u jepte lojtarëve pushim të plotë ditën pas ndeshjes.
Pochettino pritet të ketë një sfidë të madhe që në debutimin e tij, pasi Manchester United do të përballet me rivalin e përbetuar Liverpoolin.
Përgatitjet e tij për këtë takim do të jenë edhe më të komplikuara, pasi ai do të vazhdojë angazhimet me SHBA-të gjatë javës para ndeshjes.




