Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin francez France 24, shprehu pritshmërinë se Kosova do të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda javëve ose muajve të ardhshëm.
Ai shprehu keqardhje që, katër vjet pas aplikimit, Kosova ende nuk e ka marrë këtë status.
Kurti e theksoi se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka statusin e vendit kandidat, duke e lidhur këtë vonesë me faktin se Këshilli Evropian nuk e ka kërkuar Komisionit Evropian të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Kosovës. “Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit, demokracisë zgjedhore dhe demokracisë liberale”, theksoi Kurti.
Ai sqaroi se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por një proces të integrimit evropian të bazuar në meritë. “Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara.
Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë.
Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi me përkushtim dhe kujdes mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar”, shtoi ai.
Kurti përmendi dinamikat brenda Këshillit të BE-së si një arsye për ngadalësimin e këtij procesi, duke iu referuar pesë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë.
Kur u pyet nëse Kosova mund të ndryshojë qëndrimin e këtyre vendeve, ai theksoi se bashkëpunimi dhe komunikimi me to janë rritur, duke përmendur njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë. “Ne u kemi kërkuar që t’i bashkohen shumicës, 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin.
Ka pasur njëfarë përparimi gradual.
Këto janë shenja pozitive, por njohja ende nuk ka ndodhur”, shpjegoi Kurti.
Megjithatë, ai theksoi se pesë shtetet mosnjohëse nuk përbëjnë pengesë për dërgimin e pyetësorit të Kosovës në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Në lidhje me kritikat e Komisionit Evropian për reformat në Kosovë, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit, Kurti pranoi se ka vërejtje ndaj sistemit të drejtësisë, por theksoi se pikërisht për këtë arsye janë nisur reformat.
Ai njoftoi se Kosova është pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. “Pra, nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një vilë të madhe, apo disa të tilla”, theksoi ai.
Sipas Kurtit, procesi i integrimit në BE, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe grupkapitujve, do të ndihmojë Kosovën në reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ai tha se është ende herët për të vlerësuar nëse pas zgjedhjeve në Serbi mund të hapet një kapitull i ri.
Ai theksoi se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, përqendruar në njohjen reciproke. “Ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.
Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të”, përfundoi Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova është një shtet i pavarur dhe republikë demokratike, duke shtuar se sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë realitet, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




