Aymeric Laporte, qendërmbrojtësi 32-vjeçar i Athletic Bilbaos, ka konfirmuar se Barcelona kishte shfaqur interesim për ta transferuar atë gjatë afatit kalimtar të verës, por refuzimi i klubit bask e bëri të pamundur largimin e tij.
Në një intervistë për La Vanguardia, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të luajë në “Camp Nou”, megjithëse pranoi se mosha e tij mund ta vështirësojë një transferim të tillë në të ardhmen.
Interesimi i Barcelonës për Laporten lidhej me kërkimin e një qendërmbrojtësi me këmbën e majtë për repartin defensiv të trajnerit Hansi Flick.
Drejtori sportiv Deco e kishte vlerësuar mundësinë e transferimit të tij gjatë planifikimit të merkatos së fundit, por Athletic Bilbao nuk ishte i gatshëm të negocionte largimin e njërit prej mbrojtësve të tij.
Tashmë, deklaratat e vetë futbollistit kanë rikthyer emrin e tij në skenën e transferimeve.
Laporte konfirmoi se interesimi nga Barcelona kishte ekzistuar, por shpjegoi se qëndrimi i Athletic Bilbaos ishte vendimtar që marrëveshja të mos realizohej.
Klubi bask nuk e kishte në plan ta humbiste reprezentuesin spanjoll gjatë verës dhe përfundimisht bllokoi çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.
Megjithatë, qendërmbrojtësi nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e transferimit te gjiganti katalunas në të ardhmen.
I pyetur nëse kjo mundësi ishte mbyllur përfundimisht, ai la të kuptohej se gjërat mund të ndryshojnë, por pranoi se kalimi i kohës nuk është në favorin e tij.
Edhe situata kontraktuale e Laportes e vështirëson një transferim të mundshëm.
Mbrojtësi u rikthye te Athletic Bilbao në shtator të vitit 2025, pas aventurës në Arabinë Saudite, dhe ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2028.




