Mediumet zvicerane Blick dhe 20 Minuten i kanë kushtuar vëmendje vendimit të 20-vjeçarit, Lutfi Dalipi, i cili pas paraqitjeve mbresëlënëse te Vaduzi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në të ardhmen.
Vendimi i tij ka marrë një jehonë të madhe në mediat zvicerane, sidomos në dy prej portaleve më të njohura, Blick dhe 20 Minuten.
Blick ka publikuar lajmin me titullin “Talenti i madh ka marrë vendimin për kombëtaren”, duke konfirmuar se Dalipi do të luajë për Kosovën.
Ky medium thekson se futbollisti, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ka qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të këtij shteti deri te U21.
Gazeta raportoi se Dalipi kishte mundësi të zgjidhte mes Kosovës, Shqipërisë dhe Portugalisë, por vendosi që premtimin ndaj gjyshit të tij për të përfaqësuar njërën prej dy vendeve shqiptare ta realizojë duke zgjedhur Kosovën.
Edhe 20 Minuten e ka theksuar rastin e tij, duke e cilësuar si një tjetër talent që i thotë “jo” përfaqësueses zvicerane.
Me titullin “Çështje zemre – talenti i radhës i kombëtares i thotë jo Zvicrës”, mediumi ka theksuar refuzimin e Dalipit për të vazhduar me Zvicrën.
Aktualisht, Dalipi po kalon një sezon të shkëlqyeshëm me Vaduzin, ku është i huazuar nga Young Boys, duke regjistruar paraqitje që kanë tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të mëdha evropiane, pas 5 golave dhe 9 asistimeve deri tani.




