Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, shprehu kënaqësinë e tij pas fitores ndaj Finlandës, duke theksuar se përveç rezultatit, skuadra arriti të ofrojë një mbrëmje të veçantë për tifozët kuqezi.
Trajneri italian vlerësoi atmosferën në stadium dhe paraqitjen e futbollistëve, duke njoftuar se tani vëmendja do të përqendrohet te përballja e radhës me Bjellorusinë. “I lumtur?
Si të mos jem!
Përtej rezultatit, ishte një festë për të gjithë.
Tifozët u argëtuan, u kthyen në shtëpi me buzëqeshje dhe të lumtur për këtë fitore.
Në këto orë do t’i gëzohemi kësaj fitoreje, sepse që nga nesër do të mendojmë për Bjellorusinë.” Maran theksoi se futbolli ka kaluar në një fazë tjetër, ku është më shumë se thjesht individë, por kërkon një bashkëpunim të mirë dhe presion ndaj ekipit kundërshtar. “Futbolli ka ndryshuar pak.
Nuk bëhet vetëm nga individët, por nga kërkimi i pozicionit dhe presioni ndaj ekipit kundërshtar.
Këta djem e interpretojnë mirë këtë.
Në letër i vendosim në një mënyrë, por më pas mundohemi të gjejmë zgjidhjet e duhura në fazën e mbajtjes së topit.
Edhe kur mbrohemi, përdorim karakteristikat tona për të qenë efikasë,” shtoi ai.
Ai gjithashtu përmendi disa futbollistë si Pilo, Hysajn dhe Mitajn, duke theksuar se meritat duhet t’u atribuohen të gjithë lojtarëve. “Të përmend vetëm një emër nuk do të ishte e drejtë.
Edhe Hysaj, nga ana tjetër, po bën mirë.
Mitaj po luan në një rol që e ka praktikuar pak, por po e bën në mënyrë shembullore, shpesh duke u pozicionuar në qendër apo duke dalë përpara.
Mendoj se të gjithë po japin kontributin e tyre në këtë mënyrë.” Duke folur për paraqitjen ndaj Finlandës, Maran pranoi se skuadra pati momente kur u tërhoq më shumë seç duhej, veçanërisht në fund të pjesës së parë. “Në fund të pjesës së parë u tërhoqëm dhe nuk ushtruam presion.
Ne nuk duhet të bëhemi ekip pasiv, sepse kur ndodh kjo, kundërshtarët gjejnë hapësira dhe bëjnë lëvizjet e tyre.
Duhet të kemi presionin e duhur.
Kur e ulim atë, siç ndodhi në fund, shihet se nuk jemi aty ku duhet.” “Mendoj se kemi pasur shumë prekje në zonën kundërshtare dhe kemi qëndruar shpesh aty.
Në tranzicione duhet të jemi shumë më mirë.
Nuk patëm shumë gjuajtje, por krijuam shumë situata dhe arritëm të qëndronim në zonën kundërshtare.
Ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe kjo ndikoi shumë.” Në fund, Maran vlerësoi golin e Ernest Muçit, duke theksuar cilësinë e realizimit dhe rëndësinë e tij për skuadrën.




