temp image 936 temp image 936

PDK Arrin Marrëveshje për Procedimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara në Kuvend

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në Komisionin për Legjislacion ka njoftuar se pas negociatave politike me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, është arritur një marrëveshje që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të procedohet për miratim në Kuvend, pa ndryshime në këtë fazë.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Deliu-Kodra theksoi se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mënyrën se si do të trajtohet vendimi i presidentes për kthimin e ligjit në rishqyrtim.

Ajo sqaroi se palët kanë pasur interpretime të ndryshme për mundësinë e amendamentimit të ligjit në këtë fazë, duke shtuar se nuk është arritur një marrëveshje për ndryshime konkrete. “Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja si parti sponsorizuese e këtij ligji ka pasur negociata politike me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë.

Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin.

Dua ta bëj të qartë se nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, deklaroi Deliu-Kodra.

Ajo shpjegoi se gjatë diskutimeve me deputetët e VV-së, kanë pasur interpretime të ndryshme për Rregulloren e Kuvendit, sidomos për mundësinë e ndryshimit të ligjit në këtë fazë të procedurës. “Kemi besuar që është e mundur të bëhet amendamentimi i ligjit në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare e ka konsideruar dhe interpretuar Rregulloren në atë mënyrë që nuk lejohet amendamentimi i ligjit në këtë fazë”, shprehu ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, për shkak të këtyre mospajtimeve, ligji do të procedohet për votim në Kuvend në formën aktuale, ndërsa ndryshimet e mundshme do të trajtohen përmes një procesi të ri të amendamentimit. “Jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është.

Pastaj ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me kolegët deputetë të Kuvendit”, tha ajo.

Deliu-Kodra gjithashtu njoftoi se në Kuvend do të rivotohet versioni aktual i ligjit dhe se për miratimin e tij, si dhe për rrëzimin e vetos së presidentes, nevojiten 61 vota.

Ajo u bëri thirrje deputetëve të komisionit që të mbështesin procedimin e mëtejmë të ligjit. “Duhen 61 vota për ta miratuar ligjin dhe po ashtu për ta rrëzuar veton e presidentes.

Prandaj dua t’i ftoj kolegët deputetë që jemi këtu që ta procedojmë tutje ligjin dhe ta miratojmë atë”, përfundoi Deliu-Kodra.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -