PSG-ja ka filluar bisedimet për të transferuar portierin e Borussia Dortmundit, Gregor Kobel, pasi drejtuesit e klubit francez nuk janë plotësisht të kënaqur me performancën e Matvey Safonov.
Paris Saint-Germain po shqyrton mundësinë e sjelljes në skuadër të portierit zviceran 28-vjeçar, në një përpjekje për të forcuar konkurrencën në repartin e portës.
Sipas raportimeve nga media gjermane, klubi parisien ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e portierit dhe është duke kërkuar vazhdimisht informacione për situatën e tij.
Trajneri Luis Enrique vazhdon ta mbështesë publikisht Safonovin, megjithatë paraqitjet e tij në ndeshjet e rëndësishme evropiane kanë krijuar pasiguri te drejtuesit e klubit.
Pavarësisht vlerësimit që trajneri spanjoll ka për aftësitë e rusit në lojën me këmbë, në Paris mendojnë se skuadra ka nevojë për një portier të nivelit të lartë, i cili do të jetë në garë direkt me Safonovin dhe Lucas Chevalier.
Nga ana tjetër, Kobel ka kontratë me Borussia Dortmundin deri në qershor të vitit 2028 dhe aktualisht është në negociata për rinovimin e saj.
Portieri zviceran iu bashkua klubit gjerman në vitin 2021 nga Stuttgart, për një shumë prej 15 milionë eurosh, dhe që atëherë është shndërruar në një prej portierëve më të njohur të Bundesligës.
Vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 40 milionë euro, çka e bën një objektiv të vështirë për t’u realizuar nga kampionët francezë.
Një takim i rëndësishëm pritet të zhvillohet së shpejti mes drejtuesve të Dortmundit dhe përfaqësuesve të portierit, me qëllimin për të arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Fillimisht, dëshira e Kobelit është të vazhdojë qëndrimin në Gjermani, por interesimi i PSG-së mund të ndikojë në planet e tij.
Klubi francez ka fuqinë financiare dhe ambiciet sportive për ta bindur reprezentuesin e Zvicrës që të ndryshojë mendje.




