Arsenali vazhdon të jetë në vëzhgim të situatës së Vinicius Juniorit, të cilin e pati në plan për ta transferuar gjatë verës së kaluar, por duket se realizimi i këtij operacioni është mjaft kompleks.
Klubi londinez kishte shprehur interes të qartë për sulmuesin brazilian verën e kaluar dhe kishte nisur kontakte me të dhe përfaqësuesit e tij.
Megjithatë, negociatat nuk arritën në ndonjë rezultat dhe Vinicius përfundimisht rinovoi kontratën me Real Madridin, duke u lidhur me gjigantin spanjoll deri në qershor të vitit 2032.
Pavarësisht kësaj, Arsenali nuk e ka hequr nga lista e objektivave këtë 26-vjeçar.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit anglez vazhdojnë të ndjekin situatën e tij, edhe pse një transferim nga Santiago Bernabeu do të ishte tejet i kushtueshëm.
Për të krijuar mundësinë financiare për një ofertë të tillë, Arsenali fillimisht duhet të lirojë hapësirë në listën e lojtarëve dhe të përmirësojë kufirin e pagave.
Në këtë drejtim, largimi i Martin Zubimendit ose Mikel Merinos mund të ketë një rol të rëndësishëm, pasi shitja e tyre do t’i siguronte klubit londinez të ardhura të konsiderueshme.
Megjithatë, pengesat nuk lidhen vetëm me aspektin financiar.
Arsenali duhet fillimisht të bindë Real Madridin për shitjen e brazilianit, por gjithashtu duhet të bindë vetë lojtarin, i cili, pavarësisht situatës së ndërlikuar, dëshiron të vazhdojë karrierën në kryeqytetin spanjoll.
Gazetari Josep Pedrerol foli për këtë mundësi në emisionin El Chiringuito de Jugones, duke zbuluar se Arsenali është ende i interesuar për Viniciusin, por deri më tani nuk ka paraqitur asnjë ofertë zyrtare te Real Madridi. “Arsenalit i pëlqen Vinicius.
Ekziston një problem me kufirin e pagave dhe largimi i Zubimendit mund të ndihmonte që klubi të paraqiste një ofertë.
Edhe Merino mund të përfshihet në një shitje të tillë për të lehtësuar ardhjen e Viniciusit”, deklaroi Pedrerol.
Ai shtoi se ende nuk dihet nëse Real Madridi do të ishte i gatshëm ta shiste brazilianin dhe nëse vetë futbollisti do të pranonte të largohej në janar apo verën e ardhshme.




