Milani i sezonit 2004/05 njihej si një nga skuadrat më të mëdha në historinë e futbollit.
Nën drejtimin e Carlo Ancelottit, ekipi italian kishte në radhët e tij emra legjendarë si Paolo Maldini, Andrea Pirlo, Kaka, Andriy Shevchenko, Hernan Crespo, Cafu, Alessandro Nesta dhe Clarence Seedorf.
Megjithatë, përkundër këtij koleksioni yjesh, kuqezinjtë e përfunduan sezonin pa asnjë trofe madhor.
Humba në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit në Stamboll mbetet një nga kapitujt më të dhimbshëm në historinë e klubit, ndërsa GOAL e rikthen atë skuadër si një prej ekipeve më të mira që nuk arritën ta fitojnë këtë garë.
Milani kishte ardhur pas një triumfi në Serie A në sezonin 2003/04, kur kishte përfunduar kampion me 11 pikë më shumë se Roma.
Për ta forcuar edhe më tej ekipin, në verën e vitit 2004 klubi afroi mbrojtësin Jaap Stam nga Lazio dhe sulmuesin argjentinas Hernan Crespo, i cili erdhi në huazim nga Chelsea.
Në portë ishte Dida, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Cafu, Jaap Stam, Alessandro Nesta dhe Paolo Maldini.
Në mesfushë luanin Andrea Pirlo, Gennaro Gattuso dhe Clarence Seedorf, me Kaka në rolin krijues pas dy sulmuesve, Shevchenko dhe Crespo.
Ishte një skuadër që kombinonte përvojën, teknikën, forcën fizike dhe kreativitetin.
Milani kishte futbollistë të nivelit më të lartë në çdo repart dhe dukej se ishte i ndërtuar për të dominuar Evropën.
Sezoni nisi me pritshmëri të mëdha, por Milani nuk ishte i pagabueshëm.
Në kampionatin italian kishte humbur pikë në disa ndeshje që në letër dukeshin të lehta, ndërsa në garën për titull kishte përballë Juventusin e Fabio Capellos.
Në fund të prillit 2005, kuqezinjtë ishin në krye të Serie A-së dhe kishin fituar 2-0 ndaj PSV Eindhovenit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Por kthimi në Holandë ishte shumë më i vështirë.
Milani humbi 3-1, por arriti të kualifikohej në finale falë golit të Massimo Ambrosinit në minutën e 91-të, që i siguroi avantazhin në golat si mysafirë.
Kualifikimi erdhi më 4 maj, por vetëm katër ditë më vonë skuadra e Ancelottit humbi 1-0 në shtëpi ndaj Juventusit, në një ndeshje vendimtare për titullin.
Pas dy barazimeve radhazi ndaj Lecces dhe Palermos, Juventusi siguroi titullin e kampionit pesë ditë para finales së Ligës së Kampionëve.
Milani kështu humbi mundësinë për të fituar Serie A-në dhe e gjithë vëmendja u përqendrua te finalja evropiane.
Në finalen e 25 majit 2005 në Stamboll, Milani u përball me Liverpoolin, një skuadër që kishte përfunduar vetëm në vendin e pestë në Premier League, plot 37 pikë pas kampionit Chelsea.
Diferenca në cilësi u pa që në pjesën e parë.
Milani kaloi në epërsi pas më pak se një minute lojë, kur Paolo Maldini shënoi me volej pas një goditjeje dënimi.
Më pas, Hernan Crespo realizoi dy herë, duke e çuar rezultatin në 3-0 para pushimit.
Goli i dytë i argjentinasit ishte veçanërisht spektakolar.
Kaka e shërbeu me një pasim të jashtëzakonshëm nga gjysma e fushës, ndërsa Crespo e finalizoi me elegancë përballë portierit Jerzy Dudek.
Gjithçka dukej e vendosur, por Liverpooli u rikthye në pjesën e dytë.
Steven Gerrard, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso shënuan brenda një periudhe të shkurtër, duke e barazuar rezultatin në 3-3 dhe duke e dërguar finalen në vazhdime.
Milani arriti të rikuperohej pas tronditjes dhe pati mundësi të tjera për të shënuar, por Dudek u bë vendimtar, veçanërisht me pritjen ndaj goditjes së Shevchenkos në fund të vazhdimeve.
Në penallti, Liverpooli triumfoi 3-2.
Milani humbi tri nga pesë goditjet e tij, përfshirë edhe atë të Shevchenkos, i cili dy vjet më parë kishte shënuar penalltinë vendimtare në finalen e fituar ndaj Juventusit në Manchester.
Për Paolo Maldinin dhe bashkëlojtarët e tij, ajo humbje mbeti një plagë që nuk u shërua lehtë.
Kapiteni legjendar ka treguar se iu desh një vit para se të gjente forcën për ta rishikuar ndeshjen. “Dominuam për rreth 110 nga 120 minutat”, kishte deklaruar Maldini, duke kujtuar se sa e vështirë ishte të pranohej mënyra se si përfundoi ajo finale.
Edhe Hernan Crespo e kishte përshkruar atmosferën pas ndeshjes si një funeral, ndërsa zhgënjimi ishte i madh për një skuadër që kishte qenë aq pranë triumfit.
Dy vjet më vonë, Milani mori revanshin ndaj Liverpoolit, duke fituar 2-1 në finalen e Athinës në vitin 2007.
Por, sipas GOAL-it, skuadra e vitit 2005 ishte edhe më e fortë në aspektin e cilësisë individuale.
Disa prej yjeve të saj ishin ende pjesë e ekipit në vitin 2007, por Shevchenko, Stam dhe Crespo nuk ishin më në klub, ndërsa Cafu kishte humbur vendin në formacionin titullar.




