Lumbardh Dellova është tërhequr nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazliji.
Kjo situatë e vështirëson organizimin e repartit defensiv të Dardanëve, pasi mungon edhe Albian Hajdari, i cili vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi afatgjatë.
Në mungesë të dy mbrojtësve të rëndësishëm, Foda do të duhet të eksperimentojë me një treshe të re në qendër të mbrojtjes për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Në sistemin 3-4-3, që përzgjedhësi gjerman e ka përdorur vazhdimisht, pritet që në krahët e mbrojtjes të luajnë Mërgim Vojvoda në të djathtë dhe Dion Gallapeni në të majtë.
Një lajm pozitiv për Kosovën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit, i cili mungoi në katër ndeshjet e muajit tetor për shkak të lëndimit.
Sa herë që ka pasur mundësinë të luajë për Dardanët, mbrojtësi i Sionit ka treguar paraqitje të mira dhe ka qenë në nivelin e kërkuar, ndaj rikthimi i tij mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv. “Rikthimi im është një kënaqësi e madhe.
Shyqyr, tash nga lëndimi gjithçka ka shkuar mirë.
Stërvitja ka shkuar shumë mirë.
Po përgatitemi për ndeshjen dhe i gjithë ekipi ndihet shumë mirë.
Atmosfera është e mirë.
E veçanta është që luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë, gjë që është gjithmonë më mirë për ne.
Shpresojmë për një lojë të mirë dhe pozitive, me tri pikë”, ka deklaruar Hajrizi.
Njëra prej mundësive që ka në dispozicion Foda është që Hajrizi të luajë në krahun e djathtë të treshes, Ilir Krasniqi në qendër dhe Ron Raçi në të majtë.
Ky kombinim do t’i jepte Kosovës një strukturë të re në prapavijë, por përzgjedhësi ka edhe alternativa të tjera.
Në këtë grumbullim, për herë të parë janë ftuar edhe Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberi, të cilët mund të ofrojnë zgjidhje shtesë.
Të dy kanë mundësi të luajnë në krahun e djathtë, por edhe në qendër të mbrojtjes, duke i dhënë Fodës më shumë fleksibilitet në përzgjedhjen e formacionit.
Lindrit Kamberi është 27 vjeç dhe produkt i akademisë së FC Zurichut, ku është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm dhe këtë sezon ka bartur edhe shiritin e kapitenit.
Në anën tjetër, Bleon Kurtulus, është mbrojtësi i Malmo FF-së dhe është një prej talenteve premtues të futbollit suedez.
Ka debutuar në elitë në moshën 16-vjeçare dhe ka përfaqësuar Suedinë në disa grupmosha, nga U16 deri te U21, me gjithsej 35 paraqitje.
Megjithatë, Ilir Krasniqi pritet të jetë një prej pikave të palëvizshme në qendër të mbrojtjes.
Ai ishte titullar në të katër ndeshjet e muajit tetor dhe në secilën prej tyre luajti nga 90 minuta, duke dëshmuar rëndësinë që ka në skemat e përzgjedhësit.
Përzgjedhësi Foda ka folur për përfshirjen e futbollistëve të rinj si pjesë e strategjisë për të ruajtur cilësinë e Kombëtares dhe për t’u përgatitur për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian. “Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, ka thënë Foda.
Një tjetër alternativë e vlefshme është Betim Fazliji, i cili mund të luajë në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, por edhe si mesfushor defensiv.
Lojtari i St Gallen, vjen pas një periudhe të rëndësishme nga lëndimet, por këtë vit ka filluar ta merr formën që e kishte dikur.




