Trajneri italian, Simone Inzaghi, ka mundësi të largohet nga Al-Hilal në fund të sezonit, pas dy vitesh qëndrimi në klubin saudit.
Megjithatë, pavarësisht raportimeve nga Italia që sugjerojnë se ai ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën, agjenti i tij ka mohuar se është marrë ndonjë vendim për të ardhmen.
Gazetari italian Nicolò Schira ka raportuar se Inzaghi ka vendosur të mos e zgjasë marrëveshjen me Al-Hilalin, e cila skadon më 30 qershor 2027.
Sipas tij, ish-trajneri i Interit ka për qëllim të largohet nga Arabia Saudite pas dy sezonesh në krye të skuadrës.
Inzaghi u emërua trajner i Al-Hilalit në verën e vitit 2025, pas një aventure të suksesshme me Interin.
Ai nënshkroi një kontratë me vlerë të raportuar prej rreth 26 milionë eurosh në vit, duke u bërë një nga trajnerët më të paguar në futbollin botëror.
Agjenti i Inzaghit, Federico Pastorello, reagoi pas publikimit të lajmit duke hedhur poshtë pretendimet se klienti i tij ka vendosur të largohet nga Al-Hilali. “Kjo nuk është e vërtetë.
Nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e Inzaghit.
Al-Hilal nuk ka biseduar me ne për një zgjatje të mundshme të kontratës.
Për momentin, jemi plotësisht të përqendruar te sezoni aktual”, deklaroi Pastorello.
Kështu, për momentin nuk ka asnjë konfirmim për largimin e Inzaghit nga klubi saudit.
Kontrata e tij është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, ndërsa agjenti ka bërë të ditur se deri më tani nuk janë zhvilluar bisedime për vazhdimin e saj.
Kalimi në Arabinë Saudite e vendosi Inzaghin në mesin e trajnerëve me pagat më të larta në futboll.
Sipas një renditjeje të publikuar nga “The National” në gusht të vitit 2026, italiani ishte trajneri më i paguar në botë, me të ardhura vjetore të vlerësuara në 26.9 milionë euro.
Pas tij pozicionohej Diego Simeone i Atletico Madridit, me rreth 24.2 milionë euro në vit, ndërsa në vendin e tretë ishte Mikel Arteta i Arsenalit, me afërsisht 17.9 milionë euro.
Megjithatë, vlerësimet për pagat kanë ndryshuar pas raportimeve për kontratën e re të Artetës me Arsenalin.
Disa media kanë bërë të ditur se trajneri spanjoll tashmë përfiton rreth 26 milionë euro në vit, duke iu afruar shifrës së Inzaghit.




